Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është ulur tashmë në tryezën e negociatave për anëtarësim dhe ka hapur grup-kapitullin e parë, “Themeloret”, duke hyrë në një fazë të re.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, kryeministri Rama tha se “sot ne ju presim përsëri në Tiranë. Unë e kam humbur numërimin e herëve kur ju keni ardhur. Me siguri keni ardhur më shumë se të gjithë paraardhësit tuaj që nga fillimi i këtij shekulli. Sot është një ditë shumë e veçantë dhe konferencë shtypi e veçantë, sepse e di shumë mirë para se t’ju dëgjoj se sot nuk do ta përsërisni fjalinë me të cilën keni mbyllur të gjitha konferencat e mëparshme të shtypit: ‘Ne duam të fillojmë me Shqipërinë negociatat për anëtarësim'”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, tashmë kjo fjali i përket historisë.

“Sot keni ardhur në Shqipëri pasi tanimë Shqipëria është ulur në tryezën e negociatave për anëtarësim dhe ka hapur grup-kapitullin e parë, ‘Themeloret’, duke hyrë në një fazë të re kur duhet të vini përsëri, por duhet ta mbyllni konferencën e shtypit duke thënë: ‘Ne duam anëtarësimin e Shqipërisë në BE'”, tha Rama.

Kryeministri e garantoi se “ne jemi shumë të vendosur t’ia dalim edhe për këtë”.

“Skuadra jonë e negociatave ka treguar në Bruksel që është në lartësinë e duhur për t’u përballur me këtë sfidë të re. E dimë që është një sfidë që nuk shkon duke u bërë më e lehtë, por shkon duke u bërë më e vështirë sepse bëhet fjalë për një sërë detyrash, janë mijëra dhe janë detyra të cilat duhet të përkthehen në ligje, aktet nënligjore, por edhe në prova të zbatimit të tyre”, shtoi Rama./ata