Festa e Gështenjës, një traditë që kujton rëndësinë e produkteve sezonale dhe vendore, mblodhi së bashku në Tropojë, fermerë, partnerë dhe aktorë të linjës, për të folur për ushqimet, duke nënvizuar nevojën për akses më të madh në një shumëllojshmëri ushqimesh ushqyese, të sigurta dhe të qëndrueshme.

Në një njoftim për media, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se, në partneritet me FAO-n, po mbështet zinxhirin e qëndrueshëm të vlerës së gështenjës.

Një nga aktivitetet e projektit është promovimi i Rrugës së Gështenjës me synimin rritjen dhe mundësinë e atraksioneve turistike për vizitorët në zonën më të madhe të gështenjës në Shqipëri, Tropojë.

Aktiviteti vjen në kuadër edhe të Ditës Botërore të Ushqimit.

Të gjithë duhet të kenë akses në ushqime të mjaftueshme ushqyese të përballueshme të sigurta dhe të qëndrueshme.

Zona malore e Tropojës, ka mbi 2000 hektarë masiv pyjor gështenjash dhe 70 % e banorëve të zonës sigurojnë të ardhura ekonomike nga ky produkt.

Projekti “Zhvillimi i qëndrueshëm i zinxhirit të vlerës së gështenjës” do të zgjasë deri në vitin 2025. Nisma synon rigjallërimin e zinxhirit të vlerës së gështenjës, duke përfshirë prodhimin, përpunimin dhe tregtimin e gështenjës, me në fokus zgjerimin e sipërfaqeve të kultivuara dhe pozicionimin e produkteve të gështenjës në tregun rajonal./ata