Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ne nuk e pranojmë dot dhe do të marrim masa drastike për çdo biznes të vogël që nuk paguan sigurimet shoqërore deri në mbyllje të aktivitetit”.

Gjatë takimit me strukturat tatimore për prezantimin e planit për luftën ndaj informalitetit Rama tha se “biznesit të vogël i kemi kërkuar vetëm që të paguajë sigurime shoqërore dhe shëndetësore, asnjë taksë dhe mbi të gjitha biznesi i vogël që është i vetëpunësuar, ia paguan vetes së vet, pra paguan për pensionin e vet”.

“Kjo quhet autograbitje, domethënë të vjedhësh veten tënde. Problemi është që këto paratë që sot nuk janë të tuat, këto para do t’i marrë pensionisti. Kur të dalësh ti në pension, atëherë do ta kuptosh çfarë i ke bërë vetes se ai tjetri që do të jetë në punë, nuk t’i jep dot ty ato sepse ti nuk ke paguar për atë që ishte përpara teje. Ky është zinxhiri, prandaj autograbitjen ne nuk e pranojmë dot”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “të gjitha të tjerat mund t’i diskutojmë, edhe taksat mund të diskutohen në kuptimin, ka një sistem në Republikën e Shqipërisë dhe ju e dini mirë, të marrëveshjeve, jo debia, jo ‘’kam ca borxhe, hajde bëjmë një ristrukturim’’ dhe e ka, është me ligj, që do të thotë taksat mund të diskutohen në marrëdhënie me institucionet e të ardhurave”.

“Republika e Shqipërisë dhe asnjë republikë tjetër nuk e ka një të tillë për sigurimet shoqërore dhe kemi sot aktualisht, një numër të konsiderueshëm biznesesh që figurojnë debitorë ndaj pensionistëve. E kanë aty, debitorë. Nuk e ka Republika e Shqipërisë këtë mundësi që t’i thuash “hajde ta bëjmë me këste, të falim atë”, por edhe këtë ne po e studiojmë për të mos e përdorur si një pengesë për formalizmin, pra për të mos i vënë përpara bizneseve si gurë në rrugë, por fillimisht duke ia lënë bizneseve topin tani që kur të bëjnë atë deklarimin e pagave, ta bëjnë si pranim të këtij kushti moral, edhe si pranim të këtij detyrimi ligjor dhe ju lutem mos na e bëjnë si ftesë për inspektim, mos na e bëjnë si ftesë për hetim, mos na e bëjnë si sfidë për dënim”, tha Rama.

Ju lutem, shtoi Rama, mos provokoni më shtetin me deklarime që janë ofenduese për inteligjencën e njeriut.

“Nuk mundet dot të ngresh pallate e të shesësh apartamente me mijëra euro dhe në kushtet e një tregu pune ku të gjithë ndërtuesit thonë “aman, vetëm punëtorë më duhen, s’ka rëndësi sa i paguaj’’ dhe shtetit ti t’i thuash që këta i paguan me 60 mijë lekë të reja? Këtë nuk mundet, nuk mundet”, tha Rama.

Duke iu drejtuar sipërmarrësve Rama tha se “ju lutem, merreni shumë seriozisht mesazhin që ju ka ardhur nga drejtoria e Tatimeve sepse është vetëm fillimi i një ndërveprimi mes nesh dhe jush që ne duam të jetë sa më konstruktiv dhe sa më çlirues për shpirtrat e të gjithëve në raport me pensionistët, por që jemi të gatshëm ta bëjmë edhe një ndërveprim dramatik për ata që nuk do ta marrin seriozisht”./ata