Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, priti sot në një takim ambasadorin e Katarit në Shqipëri, Shkëlqesinë e Tij Jabor Ali H.A. AL-Dosari.

Në qendër të takimit ishte prezantimi mes palëve dhe diskutimi mbi ecurinë e bashkëpunimit të deritanishëm, si dhe perspektivat e tij në të ardhmen.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit vlerësoi marrëdhëniet e mira diplomatike mes Shqipërisë dhe Katarit, duke shprehur vullnetin e tij për të forcuar dhe zgjeruar bashkëpunimin mes dy vendeve, veçanërisht në fushat e sigurisë dhe shkëmbimit të eksperiencave.

“Strukturat e Policisë së Shtetit mbeten të hapura për bashkëpunim në të ardhmen, sidomos në drejtim të zhvillimit dhe shkëmbimit të eksperiencave më të mira,” deklaroi Proda gjatë takimit.

Ambasadori i Katarit,  AL-Dosari, e uroi drejtorin e përgjithshëm të Policisë për detyrën e re, duke theksuar rëndësinë e saj në shërbim të qytetarëve dhe në përmirësimin e parametrave të sigurisë. Ai vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë për ta intensifikuar atë në të ardhmen.

Në këtë kontekst, ambasadori AL-Dosari sugjeroi nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes dy palëve, me qëllim që ky bashkëpunim të bëhet më i thellë dhe më efektiv në fusha të përbashkëta interesi. Ai gjithashtu shprehu mbështetjen për realizimin e trajnimeve dhe vizitave studimore mes palëve, për të lehtësuar shkëmbimin e eksperiencave profesionale.

Në fund të takimit, ambasadori e ftoi drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit për një vizitë zyrtare në Katar, ftesë që u mirëprit nga Proda, i cili e cilësoi atë si një mundësi të rëndësishme për të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin mes agjencive ligjzbatuese të dy vendeve./ata