Kryeministri Edi Rama tha sot se ambicia e qeverisë së tij është që Shqipëria brenda kësaj dekade të jetë gati për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Rama theksoi se nëse Shqipëria është gati brenda vitit 2030 për të qenë pjesë e familjes europiane, kjo do të thotë se u kemi dhënë shqiptarëve një vend që funksionon me standardet e një vendi të BE.

Rama, duke iu përgjigjur interesit të medias, u shpreh se Shqipëria zgjodhët çdo ditë në krah të SHBA dhe BE dhe gjatë ditës dëgjon vlerësimet e partnerëve të saj strategjikë.

“Lajmi i mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët, prej kohësh tanimë është se Shqipëria nuk është më një ishull i shkëputur nga bota, dhe nuk është as i një vendi në këtë kontinent që ka bërë ndonjë zgjedhje që ia lejon të qëndrojë me kurriz nga Europa. Shqipëria është një vend që gdhihet në mëngjes dorë për dore me BE dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ecën çdo ditë krah për krah me aleatët e vetë strategjikë dhe në fund të ditës dëgjon vlerësimet e tyre. Merr rekomandimet e tyre dhe të nesërmen rizgjohet për të vijuar të ecë në këtë drejtim, pasi Shqipëria dhe për faktin se shqiptarët kanë vendosur unanimisht t’i përkasin BE, s’ka asnjë rrugë tjetër”, nënvizoi Rama.

“Dhe nëse të interesuarit në politikën e brendshme kanë opinione të caktuara, kjo është pjesë e të jetuarit në një vend të lirë. Por nëse opinione të caktuara vënë në pikëpyetje reformat dhe rezultatet e tyre, për të cilat dhe për shkak të të cilave u ulëm në tryezën e BE, problemi nuk është as i imi, as i BE dhe i asnjë partneri tjetër. Shqipëria ka akoma shumë male për të kapërcyer deri sa të arrijë në majën më të lartë, atë të anëtarësimit, ne duam ta arrijmë atë majë brenda kësaj dekade. Duam që brenda kësaj dekade të jemi gati. Ashtu siç ishim gati kur KE dha rekomandimin për të dhënë negociatat dhe Këshilli tha “Jo”. Në këtë rast nëse jemi gati brenda 2030-s, do të thotë që në Shqipëri dhe për shqiptarët më në fund të ketë një shtet që funksion si një shtet i BE”, përfundoi Rama./ata