Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi sot seancë dëgjimore për raportin vjetor të veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë gjatë vitit 2023.

Zëvendëskryetari i KLP-së, Tartar Bazaj gjatë prezantimit të raportit informoi se KLP-ja gjatë vitit 2023, ka marrë gjithsej 406 vendime, në 32 mbledhje plenare të zhvilluara dhe se vendimmarrja ka qenë kryesisht e lidhur me akte administrative individuale në funksion të karrierës së prokurorëve.

Lidhur me marrëdhëniet ndërinstitucionale të KLP-së me institucionet e tjera të drejtësisë, Bazaj bëri me dije se prej momentit të konstituimit të institucionit janë caktuar në detyrë dhe emëruar 66 prokurorë të rinj, ndërkohë që gjatë vitit 2023, pas përfundimit të procesit të vlerësimit etiko-profesional, janë emëruar 26 prokurorë.

Lidhur me Komisionin Disiplinor, Bazaj informoi se gjatë vitit 2023 janë zhvilluar 3 procedura disiplinore, prej të cilave 2 kanë përfunduar me vendim shkarkimi nga detyra dhe 1 procedurë është ende në proces.

“Njëkohësisht gjatë vitit 2023, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka njoftuar KLP-në se ka filluar hetimin disiplinor për 3 magjistratë”, u shpreh Bazaj, duke sqaruar më tej se Komisioni Disiplinor ka punuar për hartimin e një drafti të rregullores së përbashkët për bashkimin e procedimeve disiplinore mes KLP-së dhe KLGJ-së.

Lidhur me rekomandimet e lëna në rezolutë, Bazaj theksoi se KLP-ja ka kryer pjesën më të madhe të procedurës për plotësimin e 3 vendeve vakante në Prokurorinë e Posaçme dhe është në pritje të Komisionit të Posaçëm pranë SPAK, për raportet e verifikimit të pasurisë dhe figures. Po ashtu ai informoi se KLP ka miratuar 7 akte nënligjore dhe pret të miratojë një sërë aktesh të tjera, për të cilët janë ngritur grupe pune.

Sipas tij, KLP ka rritur në mënyrë të ndjeshme bashkëpunimin me Prokurorin e Përgjithshëm, si për çështjen e procesit të vlerësimit etik dhe profesional, problematikave të sistemit CAMS, implementimin e hartës së re gjyqësore dhe realizimin e udhëzimeve me karakter të përgjithshëm, etj./ata