Deputetët e Partisë Demokratike kanë zhvilluar sot disa takime me eurodeputetët e Parlamentit Europian, me PPE, si dhe me Komisionerin e Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi shkruan se gjatë takimit e informuan shkurtimisht për arsyet e vizitës tonë në PE dhe situatën politike në Shqipëri.

“Duke mbështetur plotësisht procesin e integrimit dhe duke e falënderuar për gjithë punën që ka bërë që procesi të shkojë përpara, pavarësisht se për shkak të keqqeverisjes së Edi Ramës, Shqipëria është larguar edhe më shumë nga vlerat europiane në qeverisje, bashkëndamë mendimin se integrimi europian është aspiratë e shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë dhe duhet të vazhdojë pavarësisht pengesave”, shkruan Bardhi.

Bardhi nënvizoi se Shqipëria e ka jetike që të rikthehet në shinat e shtetit ligjor dhe demokratik, që nuk përndjek e burgos opozitën, që lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe ku qeverisja nuk diktohet nga krimi i organizuar.

“Vetëm kështu e ardhmja europiane është e sigurtë dhe e shpejtë”, shkruan Bardhi./ata