Pas seancës në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), që zgjati më shumë se 4 orë, deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, e cila u la në “detyrim paraqitje”, hodhi akuza në drejtim të drejtësisë.

Kryemadhi mori në mbrojtje ish-bashkëshortin e saj Ilir Metën, dhe tha se për të gjitha gjërat në dosje akuzohet ajo, por në burg mbajnë Metën, ndërsa i cilësoi akuzat si gënjeshtra.

“Qëndrimi im ishte që për çdo gjë që akuzohet Ilir Meta, nuk ka asnjë lloj lidhje. Për të gjitha gjërat akuzohet Monika, por marrin në burg Ilir Metën.

Deputetja paralajmëroi se do ta çojë çështjen në gjykatën e Strasburgut, kur t’i vijë koha.

“Karriera politike nuk është e domosdoshme, e kam parë si instrument për të ndihmuar njerëzit, është mjet i rëndë për t’u mbajtur. Metodologjia që është përdorur kundër familjes sime është e shëmtuar. Uroj që kjo gjë të mos jetë për të tjerët, sot në politikë ke kushërinj të bandave kriminale. Është shumë e thjeshtë, mund të mbyllësh karrierën politike, por mund të hapësh një tjetër që është shumë e mirë dhe që e transformon politikën. Nuk mund të lejoj një sistem drejtësie të më bëjë pis mua. Do shkoj edhe në Strasburg, kur t’i vijë koha, jo kur të vdes unë. I kam edhe tre trashëgimtarë”, tha Kryemadhi./ata