Deputeti i Parlamentit Evropian, Rihards Kols, dhe eurodeputeti tjetër Arkadiusz Mularczyk kanë reaguar mbi takimet e zhvilluara me përfaqësues të opozitës shqiptare, duke u përqendruar në çështjet kyçe që lidhen me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në postimin e tij në rrjetin social X, Kols theksoi se kishte nderin të drejtonte këtë diskutim produktiv, ku morën pjesë edhe përfaqësues të grupit politik të ECR. Diskutimet u përqendruan në reformat kritike që Shqipëria duhet të ndërmarrë për të përparuar drejt integrimit në BE.

“Sot pata nderin të drejtoj një takim produktiv midis Grupi të Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë dhe përfaqësues nga opozita politike shqiptare. Ne u përqendruam në reformat kritike të nevojshme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke përfshirë sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, forcimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit, dhe trajtimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kolegët tanë shqiptarë ndanë shqetësimet e tyre për gjendjen e demokracisë në vend, duke theksuar sfidat madhore që duhen kapërcyer në rrugën e integrimit në BE. Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, duke siguruar që procesi të qëndrojë i fokusuar dhe i orientuar drejt rezultateve”, shkruan Kols.

Ndërkohë eurodeputeti tjetër, Arkadiusz Mularczyk shkruan se gjatë bisedimeve diskutuan mbi reformat kryesore të nevojshme për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar në mënyrë efektive krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Sot u takova me deputetë të opozitës të Kuvendit të Shqipërisë, që përfaqësojnë konservatorët e Partisë Demokratike të Shqipërisë. Shqipëria, e cila kohët e fundit filloi bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, është në një rrugë të gjatë drejt anëtarësimit. Besoj se do të përfundojë me sukses. Gjatë bisedimeve tona, ne diskutuam reformat kryesore të nevojshme për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar në mënyrë efektive krimin e organizuar dhe korrupsionin. Gjithashtu folëm për situatën gjeopolitike në rajon dhe sfidat që Shqipëria duhet të kapërcejë në rrugën e integrimit në BE. Polonia është një avokate e një politike aktive të zgjerimit të BE-së për të përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor. Është thelbësore që rruga e tyre drejt anëtarësimit të mos jetë një garë pa vijë fundi në horizont”, shkruan Arkadiusz Mularczyk./ata