Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha u takua sot në parlamentin britanik me kryetarin e grupit parlamentar gjithëpartiak për Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe deputetin e Partisë Konservatore, Martin Vickers.

Basha njofton përmes rrjeteve sociale se gjatë takimit, diskutoi për përpjekjet e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe rëndësinë e vetting-ut të politikanëve për të eliminuar lidhjet me krimin.

“Kënaqësi të takoja sot në Parlamentin Britanik kryetarin e grupit parlamentar gjithëpartiak për Shqipërinë dhe Kosovën dhe deputetin e Partisë Konservatore, Martin Vickers. Diskutuam për situatën në Shqipëri dhe përpjekjet e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhënia fund e pandëshkueshmërisë dhe ndarja e politikës nga krimi janë sfidat me të cilat përballet Shqipëria”, thekson Basha në postimin e tij.

“E informova mbi propozimin tonë të depozituar tashmë në parlament për vetting-un e politikanëve, një nismë që synon të largojë nga politika politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin”, u shpreh Basha.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe heqjen e pengesave nga disa vende anëtare, duke kërkuar një rol aktiv të Britanisë për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

“Po ashtu, një tjetër çështje për diskutim ka qenë edhe situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, dhe veçanërisht në Kosovë, ku Britania e Madhe ka një rol të rëndësishëm në garantimin e sigurisë përballë një agresioni të vazhdueshëm nga aktorë të ndryshëm që mbështeten nga Beogradi.

Theksova domosdoshmërinë që Kosova të nisë sa më parë procesin e anëtarësimit në NATO dhe, në funksion të paqes së qëndrueshme në rajon, hapjen e këtij procesi përmes heqjes së pengesave nga 4 vendet anëtare që akoma nuk e kanë formalizuar njohjen e saj”, përfundoi Basha./ata