Autoritetet turke njoftuan identitetin e viktimave të sulmit të djeshëm terrorist në Ankara, në selinë e Industrive Turke të Aviacionit dhe Hapësirës (TUSAŞ).

Në sulmin terrorist u vranë Cengiz Coşkun, një oficer i kontrollit të cilësisë në kompani, inxhinierja mekanike Zahide Güçlü, punonjësi i TUSAŞ Hasan Hüseyin Canbaz, roja i sigurisë Atakan Şahin Erdoğan dhe shoferi i taksisë Murat Arslan.

Gjithashtu, 22 persona u plagosën dhe u dërguan në spitalet e afërta për trajtim.

Cengiz Güçlü ishte rrugës për të hyrë në kompleks për të marrë lule të dërguara nga i shoqi kur ndodhi sulmi.

Terroristët vranë taksistin Murat Arslan dhe e fshehën trupin në bagazhin e taksisë së tij pasi hipën në automjet në një stacion taksie.

Një shpërthim dhe të shtëna armësh u dëgjuan dje në objektet e TUSAŞ-it në lagjen Kahramankazan të Ankarasë.

Dy terroristë që sulmuan objektet u "neutralizuan", përderisa pesë persona u vranë dhe 22 u plagosën, tha Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan e dënoi sulmin. "E dënoj këtë sulm të urryer në objektet e Industrive Turke të Hapësirës Ajrore," tha ai.

Forcat e sigurisë, zjarrfikës dhe ndihmës mjekësorë u dërguan në zonë, ndërsa personeli i TUSAŞ u drejtua në strehimore për arsye sigurie.

Zyra e Kryeprokurorit Publik të Ankarasë ka nisur një hetim./aa