Laçi është sfida e së premtes për javën e 10-të në Superligë. Dueli i orës 17:00 do luhet në Korçë, me bardheblutë që shtegtojnë sërish pasi nuk kanë një stadium në kryeqytet.

Kujtojmë që gjendja e stadiumit “Air Albania” nuk është në kushtet optimale dhe FSHF po e ruan fushën për ndeshjet e kombëtares në nëntor, prandaj Tirana është e detyruar që të kërkojë një stadium larg kryeqytetit. Derbi ndaj Dinamos u zhvillua në Vlorë, ndërsa sfida kundër Laçit është spostuar në Korçë.

Me “Selman Stërmasi”-n jashtë funksionit për ndeshje dhe “Air Albania” që është mbyllur, kryeqytetasit janë të detyruar për të “shtegtuar” edhe për ndeshjet si pritës.

Për këtë situatë kanë reaguar edhe ultrasit e klubit. "Fanatics" kanë akuzuar presidencën me në krye Refik Halilin, teksa sulmojnë edhe FSHF-në, me foton shoqëruese "FSHF MAFIA".

"Degdisja e një klubi tashmë prej vitesh pa president nga nje cep në cepin tjetër nuk është asnjë gjë tjetër përvecse treguesi i saktë që edhe data e skadencës për këtë "presidencë" ka skaduar me kohë!

Nuk mundet klubi më i titulluar në Shqipëri edhe identiteti i kryeqytetit të luajë sa nga një cep në cepin tjetër vetëm se F$HF ruan me idiotizëm "barin" e stadiumit kur bëhet fjalë për futboll e për tallavatë e koncertet e turpit nuk ka kurrë kufizim a thua se kemi te bejmë me një sallë eventesh që merret me qera e jo me një stadium futbolli të ngritur për futbollin", thuhet mes të tjerash./Shqiptarja