Kandidatja demokrate për presidente të SHBA-së, Kamala Harris i përshkroi deklaratat e kandidatit republikan, Donald Trump për Hitlerin si "jashtëzakonisht shqetësuese".

Sipas "New York Times", Harris, në deklaratën e saj në rezidencën e zëvendëspresidentit në Washington tha se ish-shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly tha se Trump kishte thënë për Hitlerin se "ka bërë edhe gjëra të mira".

Harris i përshkroi deklaratat e Trumpit për Hitlerin si "jashtëzakonisht shqetësuese" dhe theksoi se këto deklarata dhanë "një shenjë se kush është në të vërtetë kundërshtari i saj republikan".

Duke pretenduar se nëse Trump zgjidhet, ai do të dëshironte që ushtria amerikane "personalisht t'i qëndrojë besnik" edhe nëse ai nuk i bindet ligjit në mandatin e tij të ri, Harris tha se kundërshtari i saj po bëhet gjithnjë e më i çekuilibruar.

"Siç sugjerojnë fjalët e John Kelly-t, Trump sigurisht i përshtatet përshkrimit të përgjithshëm të një fashisti", tha Harris.

 

- Kelly tha se Trump "përputhet me përkufizimin e fashistit"

John Kelly, i cili shërbeu si shef i stafit të Shtëpisë së Bardhë midis 2017 dhe 2019, foli dje për "New York Times".

Në përgjigjen e tij ndaj pyetjes nëse Trump ishte fashist, Kelly lexoi përkufizimin e fashizmit dhe argumentoi se ky përkufizim "përshkruan saktë" Trumpin.

Kelly deklaroi se Trump mund të sundonjë si një "diktator" kur ka pushtet dhe pretendoi se ish-presidenti Trump nuk ka asnjë ide për kushtetutën apo konceptin e shtetit të së drejtës.

Duke thënë se Trump bëri komente pozitive për Hitlerin shumë herë, Kelly pretendon se ish-presidenti ka thënë: "Hitleri gjithashtu bëri gjëra të mira".

 

- Trump mohon akuzat

Ish-presidenti i SHBA-së dhe kandidati republikan për president, Trump, në postimin në llogarinë e tij në platformën e mediave sociale, Truth Social, tha se "Kelly është budalla" dhe se "sajonte histori negative" për të.

Trump e quajti Kelly-n gjithashtu "të poshtër" dhe "gjeneral të keq"./aa