Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi e ka cilësuar arrestimin e presidentit të Partisë së Lirisë si arrestim politik dhe të kryer pa prova dhe fakte.

Në një konferencë për mediet, Blushi komentoi vendimin e gjykatës për të lënë në burg Metën.

“Vendimi politik për të lënë në arrest me burg, pa prova dhe fakte, Ilir Metën është qartësisht i diktuar nga mafia ndërkombëtare antishqiptare dhe i urdhëruar nga Edi Rama, që dëshmon rënien e shtetit ligjor dhe kapjen për fyti të drejtësisë, që është vendosur në shërbim të agjendës elektorale të Edi Ramës”, tha Blushi.

Sipas Blushit, e vetmja alternativë për Partinë e Lirisë dhe qytetarët, mbetet përballja dhëmbë për dhëmbë me narkoshtetin.

“Qytetari i thjeshtë shqiptar është sot më i kërcënuar se kurrë. Pronat, liritë dhe të drejtat e tyre janë gjah i lehtë për mafien në pushtet dhe kjo vetëm sepse falë “Ramaformës” është kapur sistemi i drejtësisë. E vetmja alternativë për Partinë e Lirisë dhe qytetarët, përballë kësaj mafie, mbetet përballja dhëmbë për dhëmbë me narkoshtetin dhe kryebanditin Edi Rama”, u shpreh Blushi ndër të tjera./ata