Seanca paraprake e parashikuar të mbahej sot për kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berishën dhe 4 të pandehurit e tjerë mbi dosjen “Partizani” është shtyrë për datën 25 nëntor.

Avokatët pretenduan se ka pavlefshmëri njoftimesh, pasi sipas tyre janë bërë pa përfunduar afati ligjor. Gjykatësja Flojera Davidhi vendosi shtyrjen e seancës.

Pas përfundimit të seancës, avokati Genc Gjokutaj tha se mbrojtja do të kërkojë pushim të çështjes.

“Për shkak të pavlefshmërisë së njoftimit dhe për shkak të volumit të jashtëzakonshëm të dosjes seanca është shtyrë për datën 25 nëntor ora 12:00. Seanca është caktuar përpara 10-ditëshit që ne kemi në dispozicion për të njohur aktet. Mos harroni që janë 160 mijë faqe. Ne i kemi marrë aktet. Problemi është që pjesa e leximit, ato duhet të selektohen, kush janë të dobishme për çështjen se ka ujëra në material. Çështja nuk ka as dyshimin më të vogël të arsyeshëm, do të kërkojmë pushimin e çështjes, pastaj vendimmarrja është e gjykatës”, tha avokati Genc Gjokutaj.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK) ka dërguar për gjykim ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, ndërtuesin Fatmir Bektashi, Xhimi Begejan dhe Andia Pustinën, për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Sali Berisha, aktualisht kryetar i Partisë Demokratike, akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.

Sali Berisha prej fundit të dhjetorit, ndodhet në “arrest shtëpie”, pasi nuk zbatoi një vendim të mëparshëm të gjykatës për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësor, vendim të cilin ai e konsideron si antikushtetues./ata