Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, nga Strasburgu, ku ndodhet së bashku me deputetë të tjerë të opozitës, tha se kërkesa e PD për të shkuar në zgjedhje me një qeveri teknike dhe jo me Ramën kryeministër, ka gjetur mbështetje tek europarlamentarët.

Sipas Vokshit, gjatë takimeve në Parlamentin Europian, një prej kërkesave kryesore ishte një qeveri teknike, një qeveri që të kujdeset në muajt e fundit për organizmin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Kërkesa jonë ishte mbështetje për t’i kthyer mbrapsht demokracinë Shqipërisë, për të kthyer mbrapsht zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Gjetëm mirëkuptimin e të gjithë grupeve të ndryshme politike, por edhe të funksionarëve të lartë që takuam”, tha Vokshi.

“Do të përdorim në bashkëpunim me ta, do të përdorim të gjitha hapësirat ligjore dhe institucionale në Parlamentin Europian, Këshillin e Europës, për të ngritur të gjitha shqetësimet që janë jo vetëm të opozitës, por edhe të Shqipërisë dhe shqiptarëve si dhe për të gjetur mjete të ndryshme për të detyruar qeverinë që të përgatisë, të jepen zgjidhje ligjore dhe kushtetuese për zgjedhje të lira dhe të ndershme’” deklaroi deputetja e PD-së, Albana Vokshi për mediat në Strasburg./ata