Me synimin për të fuqizuar vajzat dhe gratë në sigurinë kibernetike, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në partneritet me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, organizoi sot një seminar me dëshmi dhe panele diskutimesh me gra të suksesshme në këtë fushë.

Seminari ofroi një platformë për vajzat dhe gratë për të ndarë udhëtimet e tyre personale, duke diskutuar sfidat me të cilat përballen dhe mundësitë që krijohen në peizazhin e sigurisë kibernetike.

“Ne besojmë se siguria kibernetike paraqet jo vetëm një sfidë për të cilën duhet të jemi të gjithë të përgatitur, por edhe një mundësi të madhe për të fuqizuar të rinjtë që të bëhen pjesë aktive e këtij sektori të rëndësishëm”, tha Brunilda Halili, këshilltare e Prezencës për Sigurinë në Komunitet.

Seminari kulmoi me një stërvitje praktike kibernetike të krijuar posaçërisht për vajzat studente, që synonte të rriste aftësitë e tyre teknike dhe besimin. Tridhjetë e tetë pjesëmarrëse u angazhuan në ushtrime praktike, që i pajisën me aftësi thelbësore për një të ardhme në sigurinë kibernetike.

Në përfundim, studentja e vitit të 3-të e Teknologjisë së Informacionit në Universitetin Politeknik të Tiranës, Xhorxhia Prenga, tha se, “deri më sot kam qenë e pavendosur për të ardhmen time në fushën e IT-së. Sot vendosa që dua të vazhdoj studimet Master në sigurinë kibernetike, sepse tani e kuptoj ndikimin e kësaj fushe në shoqëri, dhe mundësitë e shumta që do të kem për të çuar më tej përpara karrierën time profesionale në këtë fushë dinamike”.

Seminari u zhvillua si pjesë e projektit të Prezencës “Mbështetja e autoriteteve dhe komuniteteve kombëtare për të parandaluar dhe trajtuar në mënyrë efektive çështjet e sigurisë dhe sigurisë – Faza II”./ata