Në nëntë muaj janë mbledhur 18.2 miliardë lekë nga primet e shkruara bruto të sigurimit, gati 7.4% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për sa i përket kontratave të sigurimit, numri i tyre është rritur me 7.7% duke kapur shifrën e 1.1 milionë kontratave të lidhura.

Qytetarët kanë zgjedhur më tepër llojet e sigurimeve nga kategoria e jo-jetës. Sigurimet e jo-jetës vazhdojnë të dominojnë në raport me ato të jetës, duke zënë përkatësisht 91.92% të vëllimit të përgjithshëm të primeve.

Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, vëllimi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e jo-jetës arriti në 16.8 miliardë lekë duke shënuar një rritje në masën 7.24%, ndërkohë që numri i kontratave në sigurimin e Jo-Jetës kapi shifrën 1 milionë. Vëllimi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e jetës arriti në1.4 miliardë lekë duke shënuar një rritje në masën 9.22% krahasuar me janar – shtator 2023.

Nëse i referohemi ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.61% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.39% të totalit të tregut. Për sa i përket sigurimit vullnetar, primet nga policat e sigurimit arritën në 7.2 miliardë lekë, ose 6.52% më shumë se në periudhën janar – shtator 2023. Gjithashtu, edhe numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 2.40%./Scan