Agroturizmi, një nga industritë e reja në vend, po krijon një sinergji midis disa sektorëve të zhvillimit socio-ekonomik dhe po ndikon ndjeshëm në zhvillimin e komuniteteve në zonat rurale.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bisedoi në Tepelenë me drejtuesen e agroturizmit “Lord Bajron”, mbi sfidat e ngritjes së bujtinës së saj.

“Një bisedë e këndshme me adashen, Anilën, një grua e fortë e bujqësisë shqiptare që ka lënë kryeqytetin dhe është kthyer në vendlindjen e saj për të ndërtuar të ardhmen me këtë agroturizëm, ku angazhohet çdo ditë bashkë me familjen për t’i ofruar shijen unike të ushqimit dhe mikpritjen, të gjithë turistëve vendas e të huaj që pret në bujtinën e saj”, u shpreh ajo.

Vetë Anila thotë se Tepelena ka shumë për të ofruar dhe është bërë “porta e jugut”.

“Vijnë pushues nga Europa, Amerika, Australia, Kanadaja, kemi vizitorë që vijnë për të 10-ën herë. Tepelena ka shumë për të ofruar dhe është bërë “porta e jugut”. Një vizitor ka mundësi të shkojë për 45 minuta në Sarandë, për një orë në Borsh, nga Borshi për 20 minuta në Himarë”, shprehet Anila.

Ministrja Denaj tha se turistët kanë nevojë për mikpritjen dhe se 70 % e drejtuesve të bujtinave në vend janë gra.

“Kemi nevojë për të zgjeruar rrjetin e agroturizmeve. Ju ftoj që përveç agropërpunimit të shtoni edhe bujtinat. Pjesa më e madhe drejtohet nga të rinj. Gati 50 % janë të rinj dhe 70 % janë gra. Automatizimi i proceseve është e domosdoshme për të rritur këtë produkt në një nivel që ta përthithë tregu”, u shpreh Denaj.

Ministrja bëri të ditur po ashtu se skema kombëtare e këtij viti vendos bashkimin e operatorëve në fokus.

Qeveria shqiptare synon të nxisë edhe më tej zhvillimin e agroturizmit, si një sipërmarrje e rëndësishme për zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit. Me strategjinë e hartuar janë parashikuar një sërë lehtësimesh të mëtejshme për investitorët të cilët kanë dëshirë të angazhohen në këtë sektor./ata