Tranzicioni i vazhdueshëm drejt burimeve të qëndrueshme të energjisë parashikohet të krijojë miliona vende pune në vitet në vijim, ndërkohë që kjo mundësi duhet të shfrytëzohet nga qeveritë dhe sistemet arimore të vendeve të Ballkanit Perëndimor për formimin e profesionistëve të nevojshëm”.

Sipas Iniciativës për Reformën e Arsimit të Evropës Juglindore – ERI SEE, në thelb tranzicioni i gjelbër trajton çështje kritike që lidhen me profesionet në zhvillim dhe në tranzicion, nevojën për fleksibilitet punësimi, perspektiva të barabarta të punës dhe përafrimin e sistemeve arsimore për të mbështetur një të ardhme të qëndrueshme.

Në veçanti, fokusi kryesor duhet të jetë te orientimi i arsimit dhe formimit profesional (AFP) për të pajisur fuqinë punëtore me aftësitë e nevojshme për shërbimet që kërkon sektori i energjisë së rinovueshme.

Sipas vlerësimeve vendosja e teknologjive të pastra, sikurse janë panelet fotovoltaike dhe impiantet e energjisë së erës, do të krijojë deri në 460,000 vende pune, deri në vitin 2050 në shtetet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë që, Organizata Botërore e Punës, ILO ka parashikuar krijimin e deri në 24 milionë vende pune të reja, deri në vitin 2030 në sektorin e energjisë së rinovueshme.

Tregu në Shqipëri po ecën drejt të njëjtës tendencë, duke marrë në konsideratë instalimin e paneleve diellore për vetëprodhimin e energjisë nga familjarët dhe bizneset, por edhe qindra aplikime nga kompanitë private për ndërtimin e centraleve fotovoltaike dhe eolike.

Për të nxitur dialogun mbi zhvillimin e sektorit të arsimit në kontekstin e tranzicionit të rajonit drejt energjisë së rinovueshme, Iniciativa për Reformën e Arsimit të Evropës Juglindore, në bashkëpunim me GIZ do të organizojë konferencën me temë “EduEnergy 2.0: Drejt formësimit të së ardhmes së tranzicionit të energjisë së rinovueshme në Ballkanin Perëndimor”.

Konferenca do të zhvillohet në datën 30 tetor, në formatin online, duke iu dhënë mundësi të interesuarve nga vendet e rajonit për t’u bërë pjesë e eventit, duke u regjistruar në linkun e vënë në dispozicion nga organizatorët.

Konferenca do të bashkojë palët e interesuara nga sektorët e arsimit dhe energjisë, duke përfshirë përfaqësues të ministrive, të arsimit dhe trajnimit profesional, agjencive të kualifikimit, dhomave të tregtisë, shoqatave të punëdhënësve, shkollave, ekspertëve në arsimin dhe zhvillimin e tregut të punës, etj./Scan