Bordi Ndërkombëtar i Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse ka hequr pezullimin e Shqipërisë pas përmbushjes së detyrimit për publikimin e raportit EITI për periudhën 2019, 2020 dhe 2021.

Vendet anëtare në këtë nismë, ku bën pjesë edhe Shqipëria duhet të publikojnë raporte vjetore me të dhëna konkrete mbi industrinë nxjerrëse, pasi në të kundërt merret masa e pezullimit të përkohshëm.

Mospërmbushja e këtij detyrimi solli pezullimin e vendit tonë në 3 tetor 2023, por publikimi i raportit në nëntor të këtij viti duket se është vlerësuar nga Bordi Ndërkombëtar, duke sjellë dhe vendimin e pak ditëve më parë.

Ndërkaq, në letrën dërguar ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, thuhet se Shqipëria ka qenë një anëtare shumë e vlerësuar e EITI që nga viti 2009. “Nisma mbështet menaxhimin e hapur dhe të përgjegjshëm të naftës, gazit dhe burimeve minerale.

Zbatimi i standardit EITI forcon qeverisjen, promovon të kuptuarit e burimeve natyrore menaxhimit, dhe ofron të dhëna të hapura për transparencë dhe llogaridhënie më të madhe në sektori i nxjerrjes”, – thuhet ndër të tjera në shkresë.

Po ashtu shtohet se “Shqipëria ka përdorur platformën EITI për të zbutur korrupsionin, për të përmirësuar qeverisjen e burimeve, zbatimin e një politike të të dhënave të hapura, futjen e reformave ligjore mbi pronarin përfituese, etj., duke shtuar se Shqipëria ka qenë një novator në raportimin EITI në mbulimin e tij sektori hidroenergjetik.

Ndërkaq, Bordi Ndërkombëtar i kërkon qeverisë të vendosë më teprë fonde në dispozicion, çka do mundësonte publikimin e raporteve në kohë dhe sipas standardit të kërkuar./Scan