Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) zhvilloi në Lushnjë aktivitetin përmbyllës të 14 ditëve informuese për Skemën Kombëtare të Investimeve 2024, me fermerë dhe sipërmarrës që operojnë në sektorin e bujqësisë, në 12 qarqe të vendit.

AZHBR bëri të ditur se, fermerët patën mundësinë të informohen mbi kriteret dhe përfitimet që ofron skema për investimet në bujqësi dhe akuakulturë.

Skema Kombëtare e Investimeve me fond prej 1,5 miliardë lekë nis këtë vit me një buxhet 500 milionë lekë, e miratuar në Aktin Normativ të Qeverisë, por do të vijojë të paguhet dhe për gjatë vitit që vjen.

Skema ka si qëllim të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor duke ndihmuar fermerët për ndërtimin e serrave të reja diellore, instalimin e rrjetave antibreshër, ndërtimin e stallave, mekanizimin e bujqësisë dhe mbështetje për akuakulturën.

Aplikimet për këtë skemë kanë nisur më 1 tetor online në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural dhe aplikantët e rregullt mund të fillojnë edhe këtë vit menjëherë nga pagesat me 30% të investimit grant.

AZHBR njofton se aplikimet janë të hapura deri më 8 nëntor./ata