Nga sot kompanitë mund të aplikojnë përmes e-albania për të përfituar subvencionimin për koston shtesë të kontributeve shoqërore për aplikimin e pagës minimale prej 40 mijë lekësh.

 

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj bëri të ditur sot edhe kategoritë e kompanive që do të mund të përfitojnë.

 

Gjatë konferencës për shtyp mbi zhvillimet në ekonomi përgjatë 3-mujorit të parë, Ibrahimaj tha se përfituese janë kompanitë në industrinë përpunuese, ato në sektorin e peshkimit dhe pyjeve.

 

“Nga sot në e-albania shfaqet linku i aplikimit, në seksionin specifik të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësimit (AKPA). Kategoritë e subjekteve që përfitojnë subvencionim për kostot e shtuara të kontributeve të sigurimeve shoqërore të lidhura me rritjen e pagës minimale janë të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave dhe përfshijnë industrinë përpunuese ku hyn e gjithë manifaktura dhe seksionet e bujqësisë që përfshijnë pyjet dhe peshkimin”, u shpreh ministrja.

 

Sipas saj, subjektet do të marrin subvencionim për numrin e të punësuarve me pagë minimale të regjistruar në fund të vitit 2022.

 

AKPA është përgjegjëse për ndjekjen e procesit të aplikimit dhe subvencionim./ATSH