Ministri i Financave, Petrit Malaj zhvilloi në Uashington një takim me zëvendëspresidenten për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, pranë Bankës Botërore, Antonella Bassani.

Gjatë takimit Malaj dhe Bassani diskutuan lidhur me mbështetjen e ofruar në sektorët prioritarë, përmes projekteve të ndryshme, si dhe për asistencën teknike.

“Banka Botërore vlerësoi ecurinë pozitive të ekonomisë, të reflektuar edhe në raportin e fundit mbi vendet e rajonit, ndërsa shprehën angazhimin për një koordinim të ngushtë në lidhje me projektet, që do të zbatohen në kuadër të Planit të Rritjes me BE-në”, tha Malaj në një postim në rrjetet sociale.

Në qendër të vëmendjes ishin gjithashtu edhe projektet e bashkëpunimit që lidhen kryesisht me digjitalizimin e sistemeve (AFMIS).

Ministri i Financave Petrit Malaj mori pjesë dy ditë më parë në ministerialin e organizuar nga Banka Botërore për rritjen e efektivitetit të projekteve të zhvillimit, që u zhvillua në kuadër të mbledhjeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të grupit të Bankës Botërore (BB), në Uashington, SHBA.

Gjatë qëndrimit në SHBA Malaj u takua edhe me shefen e misionit të FMN-së në Shqipëri, Anke Weber dhe ekipin e saj, me të cilën diskutoi rreth zhvillimeve kryesore të ekonomisë dhe prespektivën e së ardhmes./ata