Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore kanë inkurajuar Bankën e Shqipërisë që të kryejë monitorimin e vazhdueshëm të rrezikut të kredisë bankare, të kursit të këmbimit dhe të normës së interesit.

Gjatë mbledhjeve vjetore të këtyre dy institucioneve, Guvernatori Sejko është shprehur se Banka e Shqipërisë po bashkëpunon ngushtë me Bankën Botërore dhe Bankën e Italisë për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të pagesave, për të ofruar pagesa të shpejta që kryhen në kohë reale, me një siguri më të lartë dhe kosto më të ulët për qytetarët.

“Është bërë një punë mjaft e mirë në modernizimin e pagesave, dhe digitalizimin e sistemit bankar. Shqipëria ka aplikuar e para dhe pritet të bëhet anëtare e sistemit të pagesave Tregut Unik të Pagesave në Euro – i njohur si SEPA. Njëkohësisht, Banka e Shqipërisë do të implementojë dhe një sistem pagesash të shpejta (Instant Payment) që është kloni i sistemit TIPS, sistemi evropian i pagesave të shpejta. Për këto po koordinohet dhe diskutohet edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor.”

Sipas tij, modernizimi i sistemit të pagesave, dhe digjitalizimi i sistemit bankar krijojnë kushtet për një zhvillim të mëtejshëm të produkteve bankare dhe ulje të kostove për konsumatorët.

Përfaqësuesit e FMN-së dhe Bankës Botërore kanë përgëzuar vendin tonë për progresin e bërë në drejtim të zhvillimit ekonomik, për celjen e negociatave me Bashkimin Evropian për grup-kapitullin e parë, si dhe për vlerësimin e ekonomisë shqiptare me B1-pozitive nga Agjencia Moody’s./Scan