Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën të ditur se vendosi shtyrjen e afatit të dorëzimit të të dhënave të pronësisë dhe kontratës së qirasë për vendin e ushtrimit të aktivitetit ekonomik në e-Filing deri më 20 nëntor 2024. Sipas tatimeve, kjo duke marrë shkas nga pyetjet dhe kërkesat e tatimpaguesve, përcjellë në kanalet zyrtare të komunikimit. Shtyerja bëhet për t’u dhënë më shumë kohë bizneseve që të përmbushin këtë detyrim.

Administrata Tatimore bën gjithashtu me dije se gjatë këtyre ditëve do të vijojë punën për përmirësimin e modulit për ta bërë më të thjeshtë deklarimin për tatimpaguesit, ndërkohë që ata vetë do të duhet të përditësojnë informacionin e kërkuar.

DPT ka publikuar edhe hapat që duhen ndjekur në përditësimin e të dhënave.

Depozitimi apo përditësimi i këtyre të dhënave, nga llogaria personale në e-Filing, duhet të plotësohet nga çdo tatimpagues, për adresën kryesore si dhe çdo adresë sekondare (nëse ka).

Ky informacion shërben për përllogaritjen e saktë të tatimit në burim si dhe për krijimin e mundësisë për parambushjen e Deklaratës së të ardhurave personale, për individët subjekt deklarimi.

Depozitimi i të dhënave si më lart përmendur bazohet në kërkesat e Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në RSH” i ndryshuar, neni 23, pika 1, njoftuan tatimet./Scan