“Tirana Slush’D” është aktiviteti i parë i këtij lloji në Shqipëri, një aktivitet që synon të mbështesë themeluesit dhe të transformojë ekosistemin e startup-eve. I frymëzuar nga formati i njohur “Slush”, ky aktivitet sjell në qendër inovacionin dhe ndërlidh sipërmarrësit shqiptarë me Ballkanin, diasporën, Europën dhe vendet nordike.

I pranishëm në këtë aktivitet, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi rëndësinë e lirisë në zhvillimin e sipërmarrjes. Ai tha se gjithmonë e më shumë të rinjtë shqiptarë duhet të orientohen drejt sipërmarrjes dhe se aspirata e vërtetë nuk është vetëm të fillohet një start-up, por që ky projekt të ketë jetëgjatësi e të kthehet në një “stay-up” të qëndrueshëm, duke kontribuar në ekonominë dhe inovacionin e vendit.

“Një nga gjërat që më ka shqetësuar është se, kur bëhet një sondazh me të rinjtë finlandezë, estonezë, izraelitë, 70-80% e tyre thonë se kur të rritem dua të bëhem sipërmarrës. Ndërkohë, në sondazhet tona 70-80% thonë kur të rritem dua të punoj në shtet. Kjo ndodh sepse kërkojmë një rrogë, nuk kërkojmë të zhvillohemi; kërkojmë rehati, nuk kërkojmë rrezik; kërkojmë siguri dhe nuk kërkojmë sfidë. Pyetja është: Secili prej nesh, a ka qëllim të jetë personi rreth të cilit vijnë gjërat rrotull, që krijon një biznes, që nuk ëndërron të dalë në pension që në moshën 18-22 vjeç me një punë të sigurt, por që është gati të rrezikojë? Pra, si do shkojmë nga një Start Up në një ‘stay up’? Kjo është pyetja për sot”, shtoi Veliaj.

Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit shprehu mbështetjen për të çuar më tej këto projekte. “Ne duam që të punojmë për shumë më tepër se kaq, duam të krijojmë një treg që të gjenerohet një fitim, që të jetë shumë i rëndësishëm për shoqërinë. Prandaj, duam që te ‘Durana’, tek Parku, tek 150 mijë metrat katrorë që kemi në Xhafzotaj, të punojmë që të licencohemi për punë që na sjellin një mirëqenie shumë më të lartë. Me mirëqenien tonë jemi të lirë. Kjo është Shqipëria si gjithë Europa. Të jemi të lirë të jetojmë dhe ta mendojmë dhe planifikojmë jetën tonë ku të duam ne. Të kemi një vlerë të shtuar në shoqëri, që në momentin që bëhemi gati për të hyrë në tregun e punës. Bota jonë po ndryshon me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe ne duhet të bëhemi gati për këtë të nesërme, e cila po bëhet shumë shpejt e tashme”, tha ai.

Përmes një platforme të fuqishme për rrjetëzim dhe ndarje njohurish, “Tirana Slush’D” bën bashkë sipërmarrës, investitorë dhe liderë të industrisë për të nxitur rritjen dhe inovacionin. Në këtë aktivitet, startup-et shqiptare kanë mundësinë të prezantohen para një jurie ndërkombëtare, duke marrë vlerësime profesionale dhe duke zgjeruar horizontet e tyre në tregjet globale. Aktiviteti, i cili në nivel global tërheq mbi 13,000 pjesëmarrës nga mbi 100 vende, ofron një mjet të veçantë për rrjetëzim që lejon mbi 20,000 takime mes sipërmarrësve dhe investitorëve./ata