Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, konfirmoi sot se duke nisur nga janari 2025, shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut do të kenë mundësi t’i regjistrojnë fëmijët në gjendjen civile përmes platformës e-Albania.

Gjatë takimit me komunitetin shqiptar në Amerikë, Rama iu përgjigj shqetësimit të një qytetari mbi pengesat që ndeshin për regjistrimin e fëmijëve, proces i cili kërkon praninë e tyre fizike në Shqipëri.

“Ju që keni jetuar këtu për më shumë se 10 vjet, e mbani mend kohën kur për çdo gjë që ju lidhte me shtetin shqiptar duhej të vinit në Shqipëri. Sot kemi platformën e-Albania, ku shumë shërbime mund t’i merrni drejtpërdrejt, pa lëvizuar nga vendi”, tha Rama.

Sipas tij, “ka mbetur vetëm një pjesë e shërbimeve konsullore që janë akoma fizikisht, dhe ky është një nga shërbimet, pasi bëhet me kushtin se duhet certifikata origjinale”.

“Jemi duke e zgjidhur edhe këtë, dhe besoj se me fillimin e vitit të ardhshëm, besoj në janar, edhe këtë do të mund ta bëni nga këtu, pa pasur nevojë për certifikata, vula e firma origjinale”, tha Rama.

Ai siguroi se çdo shqiptar, kudo ku është, shtetin e vetë shqiptar do ta ketë në telefon për çdo shërbim, njësoj si shqiptarët që jetojnë në Shqipëri.

“Do bëni durim edhe pak muaj, dhe viti i ri do të vijë me nipin a mbesën të regjistruar”, siguroi Rama./ata