Baza Ajrore e Kuçovës hapi dyert për nxënësit e shkollave të mesme të Prefekturës së Beratit.

Ata u njohën me historinë e aviacionit ushtarak dhe asistuan në demonstrimet në terren të helikopterëve Black Hawk, Cougar, dhe dronëve TB2.

Kjo ishte një eksperiencë frymëzuese për të rinjtë e këtij qarku, të cilët patën mundësinë të njihen edhe me profesionin e bukur të pilotit ushtarak.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili ndau pamje nga kjo vizitë theksoi se, Forcat e Armatosura janë në një proces të vazhdueshëm dhe të pandalshëm modernizimi, ndërsa investimi në kapacitete njerëzore mbetet prioritet i Ministrisë së Mbrojtjes.

“Të rinjtë sot kanë një motiv më shumë për të ndjekur karrierën edhe në radhët e Forcave të Armatosura, pasi me ndryshimet e bëra nga Qeveria shqiptare për trajtimin financiar, rreth 6 mijë ushtarakë do të jenë më të mirëpaguar. Shtesat për kushte të veçanta pune në Forcën Ajrore Shqiptare nisin nga 80.000 lekë dhe shkojnë deri në 100,000 lekë për pilotët”, theksoi Vengu./ata