Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në fjalën e tij në takimin me komunitetin shqiptar në Nju-Jork, për Shqipërinë 2030, se arritja më e rëndësishme për vendin tonë është goditja e pandëshkueshmërisë.

“Sot Shqipëria nuk është më vendi i një kaste të fuqishmëshish mbi ligjin dhe kultura e pandëshkueshmërisë ka marrë goditjen vdekjeprurëse të historisë sonë, të parën qysh prej themelimit të shtetit shqiptar në vitin 1912”, tha Rama.

“Të gjithë shqiptarët, edhe nëse s’janë historianë, dinë aq histori, sa duke e kthyer kokën mbrapa të shohin se qysh prej vitit 1912, për herë të parë në historinë tonë, njerëz të veshur me pushtet politik, apo të lidhur me pushtetin politik, i janë nënshtruar forcës së ligjit të barabartë për të gjithë, pavarësisht pozicionit apo lidhjes së tyre me partitë politike qoftë në qeveri, qoftë në opozitë”, u shpreh Rama.

“Kurrë më parë, në historinë tonë, një individ me profil të lartë politik nuk është hetuar, nuk është gjykuar dhe as është dënuar nga një gjykatë e pakontrolluar nga politika. Të gjithë ata që janë dënuar më parë, që nga ministrat e kohës së diktaturës e deri tek ish-kryeministri Fatos Nano, kanë qenë të dënuar politikë të një drejtësie, e cila qoftë në diktaturën komuniste dhe qoftë në demokracinë fëminore shqiptare, ka qenë e urdhëruar dhe e manipuluar nga partia në pushtet”, u shpreh Rama./ata