Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në takimin me komunitetin shqiptar në Nju-Jork për Shqipërinë 2030, u shpreh se, Partia Socialiste në pushtet udhëhoqi një reformë të thellë në drejtësi, të cilën nuk e ka bërë asnjë nga vendet e reja anëtare të BE, përpara sesa të hynte në BE.

Sot, nënvizoi Rama, “historia e partisë në pushtet që kontrollon dhe orienton drejtësinë ka marrë fund dhe unë jam krenar që me votën e shqiptarëve ne, Partia Socialiste në pushtet, udhëhoqëm një reformë të thellë në drejtësi, të cilën nuk e ka bërë asnjë nga vendet e reja anëtare të BE, përpara sesa të hynte në BE dhe lëre pastaj nga vendet e rajonit, ku ende nuk ka ndodhur ajo që po ndodh në Shqipëri dhe për të cilën Shqipëria po merr dhe vlerësimet dhe mbështetjen maksimale të SHBA-së dhe BE-së”.

“Unë jam krenar që me largpamësi, me kurajë dhe me vullnet të hekurt, ne bëmë atë që asnjë forcë politike dhe asnjë pjesë e pushtetit politik në Shqipëri, qysh nga 1912, nuk e bëri dot. I hoqëm duart e pushtetit politik nga drejtësia dhe e bëmë me vetëdijen e plotë për koston e pashmangshme politike të goditjeve që drejtësia e re po jep edhe në vetë radhët tona, ku askush nuk është më i paprekshëm dhe ku cilido që kërkohet nga drejtësia nuk merr asnjë lloj mbrojtje politike nga ne”, tha Rama.

“Ky është investimi më i madh politik i PS-së së shekullit të ri dhe kjo është shprehja më shembullore e besnikërisë sonë ndaj zgjedhësve që na votuan tri herë rresht dhe do të na votojnë përsëri, për ta bërë Shqipërinë një shtet evropian të së drejtës në Bashkimin Evropian, ku barazia para ligjit vlen njësoj si për qytetarin e zakonshëm, si për kryeministrin e vendit”, tha Rama./ata