Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste zhvilloi sot një takim në Nju-Jork me komunitetin shqiptar në Amerikë, ku diskutoi për “Shqipërinë 2030”.

Rama u shpreh se tashmë e takon komunitetin shqiptar edhe si votues, me mundësinë e pjesëmarrjes për herë të parë në zgjedhje nga Amerika.

Kryeministri theksoi se “ky është takimi i parë pas vendosjes të së drejtës së çdo shqiptari jashtë Shqipërisë, për të zgjedhur udhëheqjen e vendit duke votuar nga aty ku banon”.

“Më është dashur të përpiqem gjatë, për hir të së vërtetës, së bashku me kolegët e partisë time dhe të ndihem i sekëlldisur më shumë sesa një herë gjatë këtyre viteve kur kanë ardhur zgjedhjet, por jo mundësia juaj për të zgjedhur nga këtu në Shqipëri”, tha Rama.

Rama tha se “tanimë edhe ky është një premtim i mbajtur”, ndërsa kërkoi votën e tyre nga Amerika pranverën e ardhshme për ta bërë Shqipërinë 2030 anëtare të BE-së./ata