Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste gjatë një takimi në Nju-Jork me komunitetin shqiptar në Amerikë, foli për Reformën në Drejtësi dhe arritjet e saj.

Kreu i qeverisë nënvizoi se pa udhëheqjen e Partisë Socialiste, Shqipëria nuk do e bënte dot Reformën në Drejtësi. Sipas kreut të qeverisë ishte një përpjekje historike, e cila po jep tashmë frutet e veta dhe që po godet edhe vetë eksponentët më të lartë të partisë në pushtet.

“Është përpjekja historike që po jep frytet e veta konkrete dhe nuk do të ndodhte pa vullnetin e PS. Pa diskutim që mbështetja e paçmueshme e aleatëve tanë strategjikë ishte e domosdoshme, por pa vizionin dhe vendosmërinë tonë për ta shembur pallatin e drejtësisë së korruptuar kurrë, asnjëherë drejtësia e re nuk mund të merrte jetë dhe të ushtronte forcë e barabartë të ligjit edhe mbi vetë eksponentët e pushtetit politik. Pa aleatët nuk do të nënshtronin rezistencën e forcave që nuk e donin reformën në drejtësi”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë e cilësoi Reformën në Drejtësi si nevojë kombëtare për të cilën Partia Socialiste ishte e vendosur për ta realizuar.

“Po pse nuk e bëri Amerika në një vend tjetër të rajonit këtë reformë kaq rrënjësore? I hapi rrugë krijimit të organeve të reja të drejtësisë që po nxjerrin ujin e zi të korrupsionit nga pusetat deri dje të mbyllura.

Për të gjithë ata që duan të shohin dhe të dëgjojnë të vërtetën dhe për çdokënd tjetër e vërteta është e thjeshtë, ajo është e shkruar në programin ku Reforma në Drejtësi ishte e shënuar si angazhim prioritar.

Kjo është një nevojë kombëtare që i ka ardhur koha. Duke udhëhequr me këtë bindje do ta gjejmë rrugën që t’i përgjigjemi kësaj nevojë dhe ku në fund çdo shqiptar ta kuptojë se ligji është i barabartë për të gjithë”, u shpreh Rama./ata