Një prej pjesëmarrësve në takimin me kryetarin e Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministrin Edi Rama me komunitetin shqiptar në Nju-Jork, Ndue Ftoni falënderoi kreun e qeverisë për investimet në zonën e Dukagjinit të Shkodrës.

“Kam 28 vite në SHBA. Jam antikomunist dhe demokrat i flaktë dhe kam nderin që kam ardhur sot për të takuar kryeministrin e shqiptarëve në Amerikës”, tha ai.

Kryeministri Rama duke iu përgjigjur u shpreh se, “e kam shumë qejf kur më thonë: “Jam antikomunist” dhe “jam demokrat””.

“Se kështu isha dhe unë antikomunist dhe demokrat, por Partinë Demokratike na e morën komunistët më të këqinj. Edhe thashë, më mirë po bashkohemi edhe me komunistët që nuk e mohojnë nga kanë ardhur, sesa me ndejt me ata që kur ishin tek partia e komunistëve ishin më të zinjtë e komunistëve dhe pastaj dolën në anën tjetër dhe filluan të flasin sikur erdhën nga hëna”, u shpreh Rama.

“Siç tregon historia e këtyre viteve Shqipëria nuk është e ndarë mes komunistësh dhe demokratësh. Shqipëria është e ndarë, e para, mes punëtorësh dhe dembelësh. E dyta, patriotësh dhe nacionalistësh që i referohen flamurit vetëm për t’u fshehur pas tij dhe e treta, mes atyre që Shqipërinë dhe punën e përditshme e shikojnë përtej bindjeve politike”, tha Rama

“Shembulli i Shkodrës që solle është shembulli më kuptimplotë. 30 e kusur vite e mbajtën ata të partisë tjetër, se ne ishim komunistë. Një herë na e dhanë mundësinë, shiheni Shkodrën si po ndryshon, se ne jemi edhe antikomunistë, jemi edhe antifashistë dhe mbi të gjitha se për ne ka një emërues të përbashkët që është Shqipëria dhe për Shqipërinë ka një virtyt të përbashkët që është puna”, përfundoi Rama./ata