Kreu i PD-Demokratëve Euroatlantikë komentoi mbrëmjen e sotme takimin e Kryeministrit Edi Rama me komunitetin shqiptar në Nju-Jork duke u shprehur se Rama sillet si “turist” në krye të një prej vendeve më të varfra dhe më të korruptuara të Europës.

Sipas Bashës, Rama po përpiqet të mashtrojë qytetarët me sukseset imagjinare të qeverisë së tij, ndërkohë që realiteti tregon një situatë të përkeqësuar.

Në postimin në rrjetet sociale, Basha tha se kryeministri është rikthyer tek vendi i krimit, “aty ku korruptoi Charles McGonigal, agjentin e kundërzbulimit të partnerëve tanë strategjikë, duke dëshmuar se nuk respekton vlerat e vendit që bujarisht na ka ndihmuar dhe mbështetur”.

Basha tha se imazhi i suksesit të Ramës janë ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, zv/kryeministri Arben Ahmetaj, si dhe figura të tjera të cilat, sipas tij, janë përgjegjëse për keqpërdorimin e fondeve publike dhe kriminalizimin e institucioneve.

Ai më tej theksoi se qytetarët shqiptarë kanë nevojë për një udhëheqje të re që të punojë për të përmirësuar jetën e tyre dhe për t’i dhënë fund korrupsionit që ka përkeqësuar varfërinë dhe ka nxitur shpopullimin masiv të vendit./ata