Kompania shtetërore e transmetimit të gazit natyror të Maqedonisë së Veriut Nomagas ka hapur një tender të ri prej 83.7 milionë eurosh për ndërtimin e pjesës së saj të një ndërlidhësi të gazit me Greqinë, rreth një vit pas tenderit të parë, sipas një njoftimi të prokurimit të BE-së.

Projekti përfshin ndërtimin e një gazsjellësi 67 km dhe instalimin e objekteve shoqëruese, tregoi njoftimi i publikuar në Tender Electronic Daily (TED).

Detyra pritet të ketë kohëzgjatje prej 34 muajsh. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është data 20 nëntor.

Tenderi i parë, i nisur në nëntor 2023, ka tërhequr pesë oferta, por procedura e tenderimit është dashur të përsëritet për shkak të një problemi teknik në thirrjen e parë.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) tha më herët se do t’i japë Nomagas-it një kredi prej 98,6 milionë eurosh për punimet në tubacionin e ndërlidhësit të gazit natyror me Greqinë, si dhe për tubacionet e transmisionit që lidhin Gostivarin me Kërçovën dhe Sveti Nikolën me Velesin.

Në vitin 2021, qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë nënshkruan një marrëveshje për ndërtimin e një interkonjeksioni ndërkufitar të gazit natyror.

Maqedonia e Veriut nuk ka depozita të gazit natyror dhe mbështetet në importet nga Rusia, të tranzituara përmes Bullgarisë, sipas një kontrate me Gazprom që do të skadojë në vitin 2030./Scan