Sot në Shkup është organizuar punëtoria “Kërkimet Turkologjike në Maqedoninë e Veriut: Dje-Sot-Nesër”.

Në punëtorinë e organizuar nga Instituti Yunus Emre Shkup dhe Përfaqësia e Fondacionit Turk Maarif (TMV) në Shkup me mbështetjen e Konsulencës Arsimore të Ambasadës së Türkiyes, morën pjesë ambasadori turk, Fatih Ulusoy, kryetari i Institutit Turk të Gjuhës (TDK) Prof. Dr. Osman Mert, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, profesorë dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij, ambasadori Ulusoy tha se turqit, të cilët jetuan në Ballkan për shekuj, lanë pas vepra të panumërta arkitekturore si xhami, bujtina, banja, karvansaraje, pazare të mbuluara dhe komplekse shoqërore, si dhe gjuhë e letërsi turke, si element kulturor i lashtë në këto troje.

“Letërsia dhe poezia kanë pasur gjithmonë një vend të jashtëzakonshëm në zemrat e komunitetit turk në Maqedoninë e Veriut, dhe poezitë e mjeshtërve të poezisë të dalë nga kjo shoqëri kanë kontribuuar në mbijetesën e gjuhës turke”. tha Ulusoy.

Duke theksuar se departamentet e turkologjisë në universitetet kryesore në Maqedoninë e Veriut kanë një detyrë të madhe për njohjen e drejtë të gjuhës, kulturës dhe letërsisë turke, prezantimin e saj në komunitetin akademik dhe transferimin e saj tek gjeneratat e reja, Ulusoy tha se përpjekja e mësuesve, pedagogëve dhe studentëve në kontekstin e mbajtjes gjallë të turqishtes në këto troje është shumë e rëndësishme.

Ai tha se kompanitë turke në Maqedoninë e Veriut kanë marrë një vendim të përbashkët për të mundësuar punësime për të rinjtë që diplomojnë në degët e gjuhës turke.

“Ne besojmë se kjo do të mbështesë interesimin që do të tregohet për departamentet e gjuhës turke dhe do të ofrojë mbështetje të konsiderueshme për këto departamente”, shtoi ambasadori.

Ai tha se punimet e punëtorisë së sotme janë shumë të rëndësishme.

Ndërkaq, kreu i TDK-së, Mert, e cilësoi Shkupin si një nga qendrat e rëndësishme të gjeografisë kulturore turke dhe tha se kultura turke, ajo shqiptare dhe ajo maqedonase kanë jetuar së bashku për 600 vjet, duke përmendur që gjatë kësaj periudhe, rreth 3 mijë fjalë kanë kaluar në gjuhën maqedonase.

“Një pjesë e madhe e kulturave tona është e përbashkët”, theksoi Mert.

Ai tha se si TDK, do të vazhdojnë punën e tyre për të bërë diçka së bashku në këtë gjeografi, duke shtuar se planifikojnë të mbledhin turkologë nga Ballkani në Maqedoninë e Veriut vitin e ardhshëm.

Këshilltari për Arsim i Ambasadës së Türkiyes në Shkup, Orhan Kurtoğlu, shpjegoi se punëtoria synon të bashkojë ata që merren me shkencën e turkologjisë në Maqedoninë e Veriut dhe shkencëtarët që merren me Ballkanin dhe letërsinë, gjuhën dhe kulturën e tij në Türkiye.

Ai informoi se punëtoria mbahet me pjesëmarrjen e rreth 40 turkologëve nga dy vende.

“Do të dëshironim të shkëmbejmë ide rreth studimeve që janë bërë deri më tani mbi historinë, muzikën, letërsinë, gjuhën, kulturën dhe besimin, të cilat kanë të bëjnë me shkencën e turkologjisë dhe studimet që do të kryhen në të ardhmen mbi gjuhën, kulturën dhe historinë turke”, tha Kurtoğlu.

Punëtoria do të përfundojë sot me seancat që do të mbahen./aa