Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, së bashku me deputetin dhe kreun e grupit parlamentar të PS në qarkun e Vlorës, Bledi Çuçi, si dhe kryebashkiakun e Sarandës, Oltion Çaçi, zhvilluan një takim me disa nga operatorët kryesorë të turizmit në Sarandë për të diskutuar mbi përmbylljen e sezonit turistik veror.

Sipas ministres Denaj, ky sezon ishte më i suksesshëm krahasuar me një vit më parë, jo vetëm në aspektin e shifrave, por edhe të standardeve të ofruara.

Gjatë takimit, ministrja Denaj falënderoi operatorët për përkushtimin e tyre dhe punën e palodhur përgjatë vitit, duke theksuar rëndësinë e Sarandës si një ndër destinacionet kryesore turistike të vendit. Ajo garantoi se qeveria, në bashkëpunim me pushtetin vendor, do të vijojë të mbështesë qytetin përmes investimeve dhe politikave zhvillimore, për të forcuar më tej pozicionin e tij si një pikë tërheqëse për vizitorët vendas dhe të huaj./ata