Një sondazh i zhvilluar në SHBA tregon se qytetarët janë të shqetësuar për dhunën e mundshme pas zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit dhe përpjekjet për të ndryshuar rezultatet.

Në sondazhin e realizuar nga Associated Press (AP) dhe Qendra për Çështjet Publike, votuesit u pyetën për shqetësimet e tyre në lidhje me dhunën e mundshme pas 5 nëntorit.

Sipas sondazhit, 4 në 10 të anketuar janë "jashtëzakonisht" të shqetësuar për dhunën e mundshme paszgjedhore dhe përpjekjet për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve.

Përafërsisht një e treta e pjesëmarrësve nuk mendojnë se do të ketë dhunë paszgjedhore.

Ndërsa 1 në 3 votues thonë se janë "shumë" të shqetësuar për përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë lokalë ose shtetërorë për të parandaluar përcaktimin e rezultateve.

Vetëm rreth një e treta e të anketuarve kanë mendimin se republikanët do të pranojnë rezultatet nëse kandidati presidencial Donald Trump humbet zgjedhjet.

Demokratët dhe republikanët kanë pikëpamje të ndryshme për këtë çështje. Gati dy të tretat e republikanëve mendojnë se Trump do të pranojë rezultatet ndërsa vetëm 1 në 10 demokratë i bashkohen këtij mendimi.

Rreth gjysma e pjesëmarrësve deklarojnë se është një "problem i madh" në zgjedhjet amerikane mundësia që një kandidat të bëhet president duke humbur votën popullore dhe duke fituar Kolegjin Zgjedhor./aa