Ministri i Punëve të Jashtme të Jordanisë, Ayman Safadi, tha se mosndëshkimi i ka mundësuar Izraelit të vazhdojë "shkeljet" e tij mes sulmeve të vazhdueshme në Gaza dhe Liban.

"Izraeli po shkel marrëveshjet e tij me Bashkimin Evropian dhe nëse ndaj kësaj nuk ka qasje të guximshme, BE nuk do të ketë kredibilitet", tha Safadi gjatë fjalimit të tij në Forumin e 9-të Rajonal të Unionit për Mesdheun që po mbahet në Barcelonë, Spanjë.

"Qeveria aktuale izraelite dëshiron të largojë të gjithë palestinezët nga tokat e tyre dhe ne nuk mund të qëndrojmë duarkryq", theksoi ai, duke shtuar:

"Nuk ka alternativë për zgjidhjen me dy shtete, përpos më shumë luftë".

Forumi bashkë-kryesohet nga kryediplomati jordanez Safadi dhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Unioni për Mesdheun, një organizatë ndërqeveritare e 43 shteteve anëtare, u themelua 15 vjet më parë në vazhdën e Marrëveshjes së Oslos në frymën e paqes dhe prosperitetit të përbashkët për rajonin e Mesdheut.

Tensionet rajonale janë përshkallëzuar për shkak të ofensivës brutale të Izraelit në Rripin e Gazës, ku ka vrarë rreth 43.000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi të Hamasit vitin e kaluar.

Konflikti u përhap në Liban, ku Izraeli nisi sulme vdekjeprurëse në të gjithë vendin. Mbi 2.600 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 12.000 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite që nga viti i kaluar, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze.

Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare se rajoni i Lindjes së Mesme ishte në prag të një lufte rajonale mes sulmeve të pamëshirshme të Izraelit në Gaza dhe Liban, Tel Avivi më 1 tetor e zgjeroi konfliktin duke nisur një sulm tokësor në Libanin jugor./aa