Qeveria irakiane paraqiti ankesë deri te Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dhe Këshilli i Sigurimit te OKB-së kundër Izraelit i cili shkeli hapësirën ajrore të Irakut gjatë sulmit ndaj Iranit.

Zëdhënësi i qeverisë irakiane, Basim al-Awadi në një deklaratë me shkrim tha se ata i kanë dërguar një notë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe KS-OKB-së, në të cilën ankohen për Izraelin, i cili shkeli hapësirën ajrore të Irakut gjatë sulmit ndaj Iranit më 26 tetor.

Kryeministri irakian Mohammed Shia al-Sudani udhëzoi Ministrinë e Punëve të Jashtme që të komunikonte me palën amerikane në lidhje me këtë shkelje në përputhje me kushtet e marrëveshjes kornizë strategjike dypalëshe dhe angazhimin e SHBA-së për sigurinë.

- "Nuk do të lejohet që territori i Irakut të përdoret për të sulmuar vendet fqinje"

Zëdhënësi i qeverisë irakiane, Al-Awadi në deklaratën e tij tha: "Qeveria irakiane konfirmon angazhimin e saj të vendosur për sovranitetin, pavarësinë dhe shenjtërinë e territorit të Irakut dhe po punon në nivele të ndryshme për të luftuar këto shkelje. Ne nënvizojmë se nuk do të lejohet që hapësira ajrore ose territori i Irakut të përdoret për të sulmuar vendet e tjera, veçanërisht vendet fqinje".

"Kjo pasqyron gatishmërinë e Irakut për të ndjekur një politikë të ruajtjes së stabilitetit në rajon duke parandaluar shfrytëzimin e territorit të tij në konfliktet rajonale dhe mbështetjen e tij për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes dialogut dhe mirëkuptimit të ndërsjellë", tha Al-Awadi./aa