Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancë plenare, ndërkohë, disa nga deputetët e opozitës kanë vijuar me bllokimin e diskutimeve në foltore.

Në seancën e sotme ishte planifikuar të diskutohej për çështje të evidentuara nga qytetarët, ku gjatë seancës së shkurtër deputetët e opozitës bllokuan foltoren.

Seanca zgjati vetëm rreth 20 minuta, ku folën vetëm disa deputetë të partisë në pushtet, Partisë Socialiste, ndërkohë, deputetët opozitarë nuk kanë lejuar diskutimin e deputetëve nga foltorja.

Deputetët mbanin në duar pankartat me mbishkrimet "Stop drejtësinë e manipuluar", "Kemi nevojë për qeveri, jo për kartel droge" dhe mbishkrime të tjera. Në seancën e sotme deputetët e opozitës të përjashtuar për shkak të tensioneve në seancat e kaluara nuk tentuan të hyjnë me forcë në sallën e seancave plenare.

Kuvendi i Shqipërisë është përfshirë nga tensionet dhe përplasjet e deputetëve të opozitës nga Partia Demokratike me punonjësit e Gardës së Shqipërisë në seancat e javëve të fundit.

Tensionet nisën për shkak të çështjes mbi dënimin me 1 vit burg të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji. Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë më 26 shtator 2024 la në fuqi vendimin e dhjetorit 2019 të shkallës së parë për dënimin me 1 vit burg për ish-deputetin Salianji, për veprën penale “kallëzim i rremë”. PD-ja pretendon se vendimi i gjykatës së apelit është i padrejtë dhe politik.

Në lidhje me tensionet e seancës së 30 shtatorit, nga punimet e parlamentit u përjashtuan 24 deputetë të opozitës, prej tyre 3 me dy muaj, 20 deputetë me 40 ditë dhe një deputet me 10 ditë.

Deputetët e opozitës kanë paralajmëruar vijimin e bllokimit të punimeve të parlamentit edhe në javët në vazhdim.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka paralajmëruar organizimin nesër të një protestë antiqeveritare në formën e mosbindjes civile./aa