Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, tha se vendi i tij do t'i vazhdojë përparimet e arritura në industrinë e mbrojtjes, duke e quajtur këtë fushë si “burim krenarie” të vendit në botë.

Erdoğan mbajti një fjalim drejtuar kombit pas mbledhjes së kabinetit në Kompleksin Presidencial në Ankara.

Duke folur për sulmin terrorist të javës së kaluar ndaj kompleksit të kompanisë së Industrive Turke të Aviacionit dhe Hapësirës (TUSAŞ), ku mbetën të vdekur pesë persona dhe u plagosën 22 të tjerë, ai tha se Türkiye “zhubrosi dhe hodhi në plehra” mesazhet që u synua t'i përcillen vendit nëpërmjet këtij sulmi terrorist.

“Baronët e terrorit, që ushqehen me gjak, kërkojnë zotërinj të rinj në rajonin tonë dhe pronarë të rinj për të shërbyer si shërbëtorë të tyre”, tha Erdoğan.

Ai theksoi se pas sulmit ndaj TUSAŞ-it, më shumë se 470 pika që i përkisnin organizatës terroriste PKK u vunë në shënjestër dhe u neutralizuan 213 terroristë.

“Baronët e terrorit nuk do të mund ta dizajnojnë politikën turke, të ndërtojnë mure sherri mes 85 milionë banorëve tanë apo ta devijojnë Türkiyen nga drejtimi i saj”, porositi më tej ai, duke shtuar: “Do t'i vazhdojmë me vendosmëri përparimet tona në industrinë e mbrojtjes, e cila është burimi i krenarisë së vendit tonë në botë”.

Ndërkaq, lidhur me interesimin e Türkiyes për bllokun BRICS-s, në samitin e fundit të të cilit Ankaraja mori pjesë si vend mysafir, presidenti Erdoğan tha se “marrëdhëniet në zhvillim të vendit tonë me BRICS-in nuk janë dhe nuk mund të jenë alternativë ndaj angazhimeve tona aktuale”.

Ai po ashtu theksoi se pavarësisht konflikteve dhe tensioneve “në rajon dhe skenarëve negativë të hartuar për të ardhmen, treguesit bazë të ekonomisë turke vazhdojnë të përmirësohen”./aa