Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2025, janë parashikuar në masën 89.9 miliardë lekë, me një rritje prej 13.2% më shumë se buxheti i vitit 2024.

Sipas relacionit të projektbuxhetit, publikuar nga Ministria e Financave, këto shpenzime zënë 3.43% të PBB-së nga 2.9 % që zinin në vitin 2024 ose nga 2.3 % në vitin 2015.

Transferta e pakushtëzuar për vitin 2025, krahasuar me vitin 2024 është 1.8 miliard lekë më shumë ose rreth 7.6% më e lartë, dhe krahasuar me vitin 2015 (viti para zbatimit të reformës administrativo-territoriale), është 13.9 miliardë lekë më shumë ose mbi dy herë më e lartë.

Në transfertën e pakushtëzuar të parashikuar për vitin 2025, 26.2 miliard lekë, do të shtohen edhe fondet prej 13.2 miliardë lekë transfertë e pakushtëzuar sektoriale për funksionet e reja, 200 milionë lekë grant performance, i cili përdoret për herë të parë si mekanizëm financiar në qeverisjen vendore si dhe 3.5 miliardë lekë transfertë sektoriale për rritjen e pagave.

Në total, në vitin 2025, granti nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor do të jetë në shumën 43.1 miliardë lekë nga 36.5 miliard në 2024 me një rritje prej 6.6 miliardë lekë ose me një rritje prej 18%./ata