Hetuesit italianë kanë siguruar një video, ku duket se 15-vjeçari shqiptar me inicialet M.C.S, dhunon 14-vjeçaren – po ashtu shqiptare – Aurora Tila, e cila vdiq pasi ra nga tarraca e një papafingoje në katin e shtatë të një pallati, mëngjesin e 25 tetorit në rrugën 'IV Novembre', Piacenza.

Sipas medias italiane “La Repubblica”, videoja është xhiruar rastësisht nga tre vajza në një stacion autobusi.

Aty shfaqet adoleshenti me inicialet M.C.S duke tërhequr, goditur dhe fyer Aurorën, e cila në ato momente shpëton vetëm falë ndërhyrjes së bashkëmoshatarëve të saj.

Gjithashtu, hetuesit kanë arritur të zbardhin pjesërisht dinamikën e levizjeve të vajzës ditën e ngjarjes, para se të humbte jetën.

Sipas dëshmive, i dashuri 15-vjeçar dalloj për xhelozinë e tij të tepruar. Fqinjët e pallatit ku ndodhi ngjarja janë shprehur se nuk kanë dëgjuar ndonjë zhurmë të çuditshme apo thirrje për ndihmë.

Adoleshenti shqiptar ka kërkuar ndihmë dhe ka raportuar për vdekjen e të miturës shqiptare pak pas orës 08.30.

Aurora u gjet në një pellg gjaku në tarracën e katit të pestë, pas një rënie nga 12 metra lartësi.

“As qiramarrësit e atij apartamenti – thotë Lorenza Dordoni, avokatja e familjes – nuk dëgjuan ndonjë gjë.”

Aurora ishte 1.50 metra e gjatë me peshë 33 kilogramë dhe duke marrë parasysh këto karakteristika fizike të saj, sipas autoriteteve ishte e vështirë për të që të ngjitej vullnetarisht mbi parmakë 1.20 metra të lartë.

Edhe sikur të kishte provuar – shtojnë autoritetet - ish i dashuri i saj ka pasur mundësitë për ta ndaluar.

Mediat italiane shtojnë se kohëve të fundit, Aurora shfaqej e pasigurtë për jetën e saj.

Frika e saj kishte shpërthyer pasi ajo kishte ndërprerë për herë të dytë lidhjen me 15-vjeçarin, në fillim të tetorit.

Ndërkohë, familja e Aurorës dhe autoritetet po presin rezultatet e autopsisë, të kryera nga mjeku Giovanni Cecchetto.

I dashuri shqiptar i moshës 15-vjeçare, është nën hetim për vrasje me dashje. Ai u arrestua pasditen e djeshme (28 tetor 2024) nga karabinierët e Piacenza-s të koordinuar nga prokuroria për të mitur të Bolonjës.

Djali, i marrë nga shtëpia në fshatin Gossolengo ku jeton me prindërit e tij, u burgos në burgun për të mitur "Pietro Siciliano" në Via del Pratello./Shqiptarja