Komisioni parlamentar për Edukimin dhe Median miratoi të martën projektligjin e ri të qeverisë “Për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor”, ku parashikohet ngritja e një organi të ri mbikqyrës “Këshilli Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor”, i cili do të drejtohet nga Kryeministri.

Pavarësisht se në ligj thuhet se ky organ do të ketë vetëm rol këshillues për përmirësimin e kërkimit shkencor, praktikisht ai merr përsipër të rekomandojë, jo vetëm politikat mbështetëse në këtë drejtim, por dhe të orientojë fushat e kërkimit shkencor. Në përbërje të Këshillit parashikohet të jenë 7 ministra, ministri përgjegjës për shkencën; inovacionin; energjinë; bujqësinë; shëndetësinë; mbrojtjen dhe për mjedisin, si dhe përfaqësues nga institucionet e arsimit të lartë, nga Akademia e Shkencave dhe qendrat e inovacionit.

Gjatë miratimit në mënyrë të njëanshme nga deputetët socialistë në nenin përkatës që parashikon mënyrën e funksionimit të këtij këshilli u ndryshua vetëm një fjalë në funksionet që do të kryejë ky këshill duke zëvendësuar ‘monitoron’ me ‘analizon’, -“analizon sistemin kombëtar të shkencës dhe kërkimit shkencor si dhe ecurinë drejt integrimit të sistemit në zonën evropiane të kërkimit (ERA), duke rekomanduar përmirësimin e tij sipas rastit”.

Zëvendësimi shkaktoi diskutime në komision, pasi deputetët e opozitës të pranishëm këmbëngulën që shqetësimi nuk lidhej me një fjalë, por me qëllimin e dispozitës për kontrollin e shkencës nga Kryeministri.  “Po lëmë shkencën në duart e disa njerëzve jo teknikë dhe kjo ngre shqetësim për censurim të lirisë së kërkimit shkencor”- tha deputetja e PD-së Oriela Nebijaj. “Një model antishkencor dhe antieuropian”- e cilësoi nenin në fjalë kryetarja e këtij komisioni, Ina Zhupa, duke folur për BIRN-in pas mbledhjes së komisionit.

“Përbërja e këshillit manifeston vullnetin, për të zhbërë reformën në kërkimin shkencor dhe ta rikthejë nën Akademinë e Shkencave dhe Ministrive, i manifestuar me tendencat centralizuese të para viteve 90, që koha provoi se ishte një eksperiment i dështuar”- shtoi Zhupa. Kryeministria nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN se me çfarë cilësish shkencore kryeministri merr përsipër të drejtojë një këshill për kërkimin shkencor.

Deputetët socialistë miratuan një sërë ndryshimesh në formulimet fillestare, për të cilat thanë se ishin sugjerime të ardhura nga drejtuesit e universiteteve, një organizëm i cili fillimisht e kundërshtoi me forcë nismën duke i kërkuar qeverisë të tërhiqet.

Konferenca e Rektorëve i kishte dërguar Kuvendit një oponencë të gjatë me argumente kundër draftit qeveritar ku ngrihej shqetësimi se dispozitat ligjore ishin anti-kushtetuese, cënonin lirinë shkencore dhe nuk zgjidhin problematikat e vërteta që ka fusha e kërkimit shkencor.

Gjithsesi varianti final duket se është pranuar prej tyre. Kryetari i Konferencës së Rektorëve, rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha,  i tha BIRN-it të martën se nuk kishte kundërshtime për variantin e miratuar në komision. “Kemi qenë në komunikim me ministrinë e Arsimit dhe besojmë se janë reflektuar shqetësimet tona”- tha ai në një bisedë telefonike.

Ndërsa deputetja Zhupa i cilësoi ndryshimet e draftit fillestar si “retushime” që nuk zgjidhin problematikat themelore te ligjit. “Një ligj antishkencë dhe antieuropë, që censuron dhe patronazhon shkencën nga politika”- këmbënguli ajo./Tema