Ndizet edhe më tepër debati pas dorëzimit të “Topit të Artë 2024”, ku edhe pse Vinicius Jr dukej fitues i sigurt, në fund çmimi përfundoi në duart e Rodrit. Pas akuzave dhe bojkotit nga Reali i Madridit, tashmë ishte radha e kundërpërgjigjes nga “France Football”.
Për të sqaruar situatën e pakëndshme të krijuar, pas vendimit të “Los Blancos” që të mos përfaqësoheshin në ceremoninë zyrtare kur u mësua se Vinicius nuk do të fitonte, ndërhyri kryeredaktori i revistës franceze, Vincent Garcia.
Së pari, ai shpjegoi përse sulmuesi i Realit humbi duelin me Rodrin. Sipas Garcia-s, Vinicius u penalizua nga prezenca në Top 5 e shokëve të ekipit, Bellingham dhe Carvajal. Ndarja e votave mes lojtarëve të madrilenëve, në fund favorizoi Rodrin.
Kryeredaktori i “France Football” zbuloi edhe prapaskenat e asaj që ka ndodhur. “Kam qenë nën presion të madh nga Reali i Madridit, por siç ndodh edhe me klubet e tjerë, kam qenë gjithmonë i qartë dhe i drejtë. Ndoshta heshtja ime i mërziti edhe më tepër”.
Garcia tregoi edhe se “këtë vit, fituesi nuk do të informohej paraprakisht dhe fillimisht u duk se të gjithë e pranuan kushtin”, por më pas “drejtuesit e Realit kërkonin ndryshimin e rregullit”./Tema