Dy këshilltarë të presidentit të SHBA-së, Joe Biden do të vizitojnë Izraelin këtë javë për të diskutuar përfundimin e konfliktit me Hezbollahun dhe arritjen e një marrëveshjeje.
Faqja e lajmeve "Walla" e Izraelit vuri në dukje se këshilltari i lartë i Bidenit, Amos Hochstein dhe koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Brett McGurk do të vizitojnë Izraelin të enjten.
Hochstein dhe McGurk do të diskutojnë me qeverinë e Tel Avivit lidhur me përpjekjet për të arritur marrëveshje që do t'i japë fund konfliktit midis Izraelit dhe Hezbollahut dhe do të sigurojë personat e zhvendosur në të dy anët e kufirit të kthehen në shtëpitë e tyre.
Zyrtarë të paidentifikuar pretendojnë se një marrëveshje për t'i dhënë fund konfliktit midis Izraelit dhe Hezbollahut "mund të arrihet brenda pak javësh".
Në kuadër të marrëveshjes që është në rend dite, parashikohet që të iniciohet një periudhë tranzitore 60-ditore ndërmjet Hezbollahut dhe Izraelit. Gjatë kësaj periudhe, nga Hezbollahu kërkohet të lëvizë armët e tij të rënda në jug të Libanit në veri të lumit Litani, larg kufirit izraelit.
Krahas kësaj, planifikohet që ushtria libaneze të vendosë 8 mijë ushtarë në kufirin izraelit dhe ushtarët izraelitë që kanë pushtuar jugun e Libanit nga toka të tërhiqen gradualisht nga rajoni.
Më tej theksohet se do të shpallet armëpushim mes Izraelit dhe Hezbollahut nëse këto hapa ndërmerren gjatë periudhës 60-ditore të tranzicionit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është takuar dje me ministra dhe zyrtarë të lartë ushtarakë për të diskutuar mënyrat për të gjetur zgjidhje diplomatike për konfliktin me Hezbollahun në Liban.
Ushtria izraelite njoftoi më 30 shtator se ka nisur sulme tokësore "të kufizuara dhe intensive kundër infrastrukturës së Hezbollahut" në jug të Libanit. Një zyrtar izraelit i paidentifikuar duke folur për mediat vendase pretendon se sulmet tokësore të ushtrisë izraelite në Liban "janë drejt fundit".
Zyrtari në fjalë pretendon se ushtria izraelite mund t'u japë fund sulmeve tokësore në Liban "brenda 1-2 javësh"./aa