Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj u shpreh sot nga Tepelena se, PD duhet të kthehet përsëri si shpresa e njerëzve, duke u bërë e besueshme tek njerëzit.

 

Alibeaj theksoi se, në vititn 2013, PD u largua nga pushteti për shkak të keqqeverisjes dhe korrupsionit.

 

“E para për shkak të keqqeverisjes tonë, për shkak të keqqeverisjes së PD dhe së dyti për shkak të një tradhtie, trafiku votash. Kjo ka ndodhur në 2013. Ai që ishte në atë kohë aleat i PD-së, Ilir Meta, pas një 4-vjeçari ku shkaktoi shumë kosto për PD-në, që në 2009 në fakt kur ishte momenti që të merrte teposhtë dhe në 2011, skandalin e mbani mend dhe që vazhdoi në 2013 pastaj me tradhtinë hapur ndaj demokratëve. Është shumë e rëndësishme ajo që ka ndodhur në 2013. Është e rëndësishme si një leksion politik që duhet ta kemi të gjithë ne”, tha ai.

 

Alibeaj theksoi se, brenda PD-së ka qenë mentaliteti i idhullit, i kultit të individit brenda partisë.

 

“Vazhdonim ta quanim lider historik Sali Berishën. Ne kemi bashkëjetuar me të. Ne nuk arritëm dot nga 2013 të ishim vërtetë PD që dikur mendohej, partia e shpresës, lirisë, njerëzve intelektual, biznesit, rinisë”, tha Alibeaj.

 

Sipas tij, “në këtë 1 vit e gjysmë PD ka treguar se ka fuqi brenda vetes që të bëjë një pastrim, një distancim nga ajo pjesë e vetja që nuk i bën nder, përfaqësuar nga Sali Berisha”.

 

Alibeaj tha se, nëse kjo nuk do të ndodhte PD do të izolohej ndërkombëtarisht.

 

“Sepse nxjerrja si non grata nuk është se u bë vetëm për atë, u bë në të gjithë rajonin. U bë në Bosnje, u bë në Mal të Zi, për disa nga përfaqësues të tjerë. Pra është një lëvizje e amerikanëve për të shpëtuar këtë rajon nga kolera që e ka kapur, që është korrupsioni”, theksoi ai.

 

Sipas tij, në këto zgjedhje Berisha u fut nën sqetullën e Ilir Metës dhe ky është fundi politikisht.

 

“Nga momenti që ka shkuar ka zaptuar selinë atje dhe vjen sot u kërkon njerëzve vota. Si mund t’u kërkosh njerëzve vota, kur ke zaptuar një seli. Me çfarë morali mund t’u thuash njerëzve: jam i ndershëm, se unë do punojë për ju, se do përmbys regjimin korruptiv dhe hajdut të Edi Ramës?! Po t’i je vetë një njeri që në mes të Tiranës nuk pyet as për ligj, as për respekt të institucionit”, shtoi ai.

 

Sipas tij, “PD pretendon që të jetë një alternativë e re, me fytyrë njerëzore, që kur është momenti di të përballet”.

 

Alibeaj theksoi se, këto zgjedhje janë të rëndësishme si zgjedhje lokale, por janë akoma më të rëndësishme si gurthemeli për atë se çfarë do të vij më vonë.