Organizata Botërore e Turizmit të Kombeve të Bashkuara ka publikuar Barometrin e Turizmit për periudhën janar-korrik 2024, në të cilën konfirmohet se Shqipëria renditet e para në Europë për rritjen e numrit të vizitorëve ndërkombëtarë krahasuar me periudhën e parapandemisë dhe e dyta në botë pas Katarit.
Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale tha se “një tjetër certifikim ndërkombëtar për këtë vit turistik sapo vjen nga Barometri i Organizatës Botërore të Turizmit, ku Shqipëria kryeson në klasifikimin europian për rritjen më të lartë të vizitorëve ndërkombëtarë dhe renditet e dyta në botë pas Katarit të Kupës së Botës, teksa një “medalje e artë” na akordohet edhe sa i takon arkëtimeve nga turizmi, me rritjen më të lartë krahasuar me periudhën e parapandemisë”.
“9,7 milionë vizitorë të huaj nga janari në shtator të vitit 2024 dhe një diversitet i larmishëm tregjesh turistike në rritje, janë tregues të qëndrueshëm, por të sigurt se Shqipëria do të vazhdojë t’i mbushë muret me certifikata të tilla suksesesh ndërkombëtare, që përkthehen në më shumë të ardhura për bizneset, punësim për familjet dhe imazh pozitiv ndërkombëtar për Shqipërinë tonë, që as mund të imagjinohej pak vite më parë”, tha Rama.
Një tjetër risi në barometrin e turizmit publikuar nga UN Tourism, është se për herë të parë njihet rritja e të ardhurave nga turizmi ndërkombëtar. Sipas barometrit për periudhën janar-korrik 2024, Shqipëria renditet e para sa i takon arkëtimeve nga turizmi, me një rritje +128% krahasuar me periudhën e parapandemisë.
Kjo nuk është hera e parë që UN Tourism, si organizata më e madhe botërore e turizmit, “certifikon” arritjet e industrisë së turizmit në Shqipëri, pasi edhe për vitin 2023 Shqipëria u rendit e katërta në botë për rritjen e flukseve ndërkombëtare në raport me popullsinë.
Në muajin prill, Organizata Botërore e Turizmit mbajti për herë të parë një event të nivelit të lartë në Tiranë, siç ishte Mbledhja e Komisionit për Europën, ku u prezantua gjithashtu edhe botimi “Doing Business in Tourism – Investing in Albania”, një botim i përbashkët i UN Tourism dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, kushtuar investimeve në turizëm.
Sipas barometrit të UN Tourism, Evropa dhe Amerika rikuperuan 99% dhe 97% të flukseve ndërkombëtare të turistëve krahasuar me periudhën para pandemisë gjatë pjesës së parë të këtij viti, ndërsa Azia dhe Paqësori kanë treguar nivele më të ulëta rikuperimi, me 82% të niveleve të vitit 2019./ata